Z. Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i #AKMC, në Euronews – Tonight dhe TV Skampa-Debat & Transparencë

Z. Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i #AKMC, ishte i ftuar në dy emisione televizive, në Euronews – Tonight dhe TV Skampa-Debat & Transparencë, për të diskutuar në lidhje me situatën e shkaktuar nga reshjet intensive që kanë prekur vendin tonë javët e fundit.

Në Euronews – Tonight z. Çako informoi në lidhje me gjëndjen e rrugëve nacionale dhe dytësore, të cilat aktualisht janë të aksesueshme, me problematika të hasura në zonat e thella të veriut si Kukës, Dibër, ku patjetër po punohet për hapjen e tyre, por edhe moti ka favorizuar shkrirjen e prezencës të akujve dhe dëborës.

Në raste të tilla ekstreme të motit dhe vështirësive të krijuara nga faktori natyror krijohen tensione, që shpesh vijnë nga mungesa e reagimit apo papërgjegjshmërisë nga një kategori e caktuar përgjegjësish të pushtetit vendor.

Pas daljes së ligjit 45/2019 përgjegjësia sipas parimit të subsidiaritetit është përcaktuar dhe deleguar sipas fushës së përgjegjësisë tek njësitë e pushtetit vendor dhe institucionet përgjegjëse për marrje masash, investime, dhe zvogëlime rrisku nga fatkeqësitë natyrore, si dhe ngritjen dhe konsolidimin e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Bashkitë e kanë të parashikuar të investojnë 4% të buxhetit, si fond i dedikuar në adresë të zvogëlimit të rriskut dhe ngritjes së kapaciteteve, dhe ligji është mjaft i qartë për këtë detyrim jo vetëm për bashkitë por edhe institucione të tjera.

Ligji ka përcaktuar qartë edhe penalitetet nëse ka raste të kompanive kontraktuale kur nuk i përmbahen kontratave, atëherë do të duhen të përgjigjen ligjërisht.

Në rastin e Shkodrës ai bëri një sqarim në lidhje me diskutimet për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e cila presupozon nevojën për të angazhuar të gjitha strukturat operacionale qendrore të shtetit pasi janë konsumuar të gjitha njësitë e deklaruara të kapacitetit të pushtetit vendor, prandaj bashkitë duhet të kenë kapacitetet e parashikuara dhe në dispozicion për këto raste.

Ndërsa në TV Skampa ai informoi që Nën-Shkodra ka një ulje të prezencës së ujit. Shqetësim mbeten disa zona por sidomos Oboti për të cilat do jepet zgjidhje, ku në këtë rast kërkohet koha për studime të detajuara dhe investime komplekse e cila do realizohet në bashkpunim me partnerë ndërkombëtarë.

Janë 3 lumenj që shkarkojnë në Bunë dhe rrisin ndjeshëm nivelin e shkarkimit të Bunës. Sekretariati i Komisionit të Vlerësimit të Plotave është mbledhur sistematikisht për të vlerësuar situatën për nivelet e Kaskadave dhe ka përcaktuar strategjinë e shkarkimeve.

AKMC, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe strukturat e tjera të #MC janë në gadishmëri dhe po i vijnë në ndihmë banorëve me ndihma ushqimore dhe për gjenë e gjallë, ose me zhvendosje banorësh ku ka pasur nevojë.

Lajme të tjera