Rreth AKMC

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është krijuar dhe funksionon në bazë të Ligji nr. 45, datë 18.7.2019 “Për Mbrojtjen Civile”, VKM nr. 747, datë 20.11.2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, si dhe Urdhri i Kryeministrit nr. 27, datë 3.2.2020 “Për miratimin e strukturës dhe të organikës së Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, si strukturë përgjegjëse për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

AKMC është person juridik publik qendror, në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile dhe përgjigjet për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
AKMC ushtron autoritet koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

Funksionet dhe roli i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Qëllimi i Mbrojtjes Civile është zvogëlimi i riskut nga fatkeqësitë dhe realizimi i mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore e të mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të Mbrojtjes Civile, duke përcaktuar përgjegjësitë e institucioneve dhe të strukturave të këtij sistemi, bashkëpunimin ndërkombëtar, të drejtat dhe detyrimet e shtetasve dhe të subjekteve private, edukimin, trajnimin dhe inspektimin.

Për shkak të karakteristikave gjeografike të Shqipërisë, fatkeqësitë natyrore, sidomos përmbytjet, zjarret, tërmetet, rrëshqitjet e tokës, si dhe bllokimet nga reshjet e borës, janë dukuri të zakonshme. Rreziku i fatkeqësive mjedisore është në rritje, për shkak të urbanizimit dhe industrializimit, megjithatë, nuk përjashtohen dhe kërcënimet bashkëkohore të terrorizmit dhe të epidemive të ndryshme.

Detyrat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile:

a) Zbaton politikën e Këshillit të Ministrave në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;
b) Zbaton drejtimet strategjike dhe objektivat e përcaktuara nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile;
c) Koordinon dhe bashkërendon punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror;
ç) Bashkëpunon me organizmat ndërkombëtare dhe organizatat homologe ndërkombëtare në kuadër të mbrojtjes civile dhe të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë;
d) Planifikon fonde për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar, si edhe veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile, kriteret dhe procedurat e akordimit të të cilave përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave;
dh) Krijon dhe zbaton metodologjinë për hartimin e planeve për emergjencat civile;
e) Promovon format, metodologjitë, mënyrat racionale për grumbullimin, regjistrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi fatkeqësitë;
ë) Kryen trajnimet e strukturave shtetërore, të subjekteve private e vullnetare nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Trajnimeve për Mbrojtjen Civile,;
f) Përgatit programin e trajnimit të strukturave të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor;
g) Lidh marrëveshje me organizata jofitimprurëse ose subjekte të tjera juridike, brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me mbrojtjen civile;
gj) Kryen inspektimin për zbatimin e dispozitave të këtij ligji për mbrojtjen civile për institucionet dhe strukturat shtetërore dhe subjektet private.