Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile filloi sot në Qarkun e Durrësit ciklin e trajnimeve të dedikuara për personelin teknik të bashkive dhe prefekturave, mbi analizën e riskut dhe hartimin e dokumenteve strategjikë vendorë.
Ky trajnim, në kuadër të programit kombëtar LOCAL DRM – “Forcimi i kapaciteteve vendore në menaxhimin e Riskut të Fatkeqësive”, financuar nga DG Echo (Departamenti i Mbrojtjes Civile dhe Operacioneve të Ndihmës Humanitare të Komisionit Evropian), synon forcimin e kapaciteteve njerëzore të pushtetit vendor për vlerësimin e rreziqeve tematike – sizmike, përmbytjet, zjarret në pyje, rrëshqitjet e tokës, riskun teknologjik dhe biologjik, dhe i shërben fuqizimit të Parimit të Subsidiaritetit në 12 qarqe dhe 61 bashki.