Pas njoftimit për një incident në zonën “Guri i Lekës”, në Njësinë Administrative Shosh, strukturat e mbrojtjes civile u koordinuan menjëherë për ndërhyrje dhe shpëtimin e jetës.
Dy turistë me origjinë ukrainase u nxorën nga gremina me ndihmën e banorëve dhe forcave operacionale. Në operacion morën pjesë Policia e Shkodrës, grupi alpin i FNSH-së dhe autoambulancat e Vau Dejësit dhe Shkodrës.
Të dy turistët janë transportuar në Spitalin Rajonal Shkodër, ku ndodhen nën kujdes mjekësor. Gjendja e tyre është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën. Turistja ka pësuar fraktura në këmbë dhe në krah, ndërsa turisti mashkull frakturë në krah.
Operacioni u realizua në koordinim të ngushtë me strukturat vendore, përfshirë Bashkinë dhe Prefekturën e Qarkut Shkodër, si dhe u drejtua nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile.