AKMC nis në Berat projektin LOCAL-DRM 2 për forcimin e kapaciteteve vendore në menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile zhvilloi sot në Berat aktivitetin e hapjes së projektit “Forcimi i Aftësisë së Menaxhimit të Riskut nga Fatkeqësitë në Nivel Vendor 2 – LOCAL-DRM 2”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian përmes DG ECHO.
Në aktivitet morën pjesë z. Gaetano Vivo, Zëvendësdrejtues i Njësisë B.3 “Ngritja e Kapaciteteve për Parandalim dhe Gatishmëri” në Komisionin Evropian/DG ECHO, drejtues të AKMC-së, Prefektja e Qarkut Berat, znj. Valbona Zylyftari, si dhe Prefekti i Qarkut Kukës, z. Dritan Bajli.
LOCAL-DRM 2 vijon punën e nisur në fazën e parë të projektit dhe synon forcimin e kapaciteteve vendore për vlerësimin e riskut, planifikimin e emergjencave civile dhe gatishmërinë, me fokus të veçantë te përfshirja e personave me aftësi të kufizuara dhe rritja e ndërgjegjësimit të komuniteteve.
Projekti synon që metodologjitë dhe instrumentet e zhvilluara të kthehen në praktika konkrete dhe të qëndrueshme në nivel vendor, duke kontribuar në forcimin e mëtejshëm të sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri.

Lajme të tjera