Në këtë rubrikë është publikuar harta tematike për përmbytjet e muajit Janar 2026 në format PDF, e cila mund të shikohet dhe shkarkohet nga përdoruesit. Informacioni i përdorur për përgatitjen e saj është marrë nga programi Copernicus një burim i hapur i të dhënave, i cili është analizuar, verifikuar dhe përpunuar në GIS. Sistemi Koordinativ Gjeografik i përdorur është ETRS 1989, ndërsa Sistemi i Projektuar është ETRS 1989 Albania 2010. Harta paraqet zonat e përmbytura të qarqeve që përshkrohen nga disa prej lumenjve kryesorë. Harta është përgatitur duke ndjekur procedura teknike të përpunimit dhe interpretimit të të dhënave gjeohapësinore. Informacioni paraqitet për qëllime informuese dhe analitike.
Shënim: Harta nuk është produkt i gjeneruar në mënyrë të automatizuar, por është produkt i krijuar në mënyrë manuale përmes analizës dhe përpunimit të informacionit të siguruar nga burime të hapura.
Përshkrim: Gjatë muajit janar 2026, Shqipëria u përball me përmbytje të konsiderueshme si pasojë e reshjeve intensive të shiut dhe rritjes së prurjeve në lumenjtë kryesorë të vendit. Ndër zonat më të prekura ishin qarku i Shkodrës nga lumi Buna, qarku i Lezhës nga lumi Drin, qarku i Durrësit nga lumi Erzen, qarqet e Fierit dhe Beratit nga lumi Seman, si dhe zona e Novoselës dhe Bishanit në qarkun e Vlorës dhe Fierit nga lumi Vjosa. Përmbytjet shkaktuan dëme në banesa, toka bujqësore dhe infrastrukturën rrugore, duke vështirësuar jetën e banorëve dhe aktivitetet ekonomike. Autoritetet dhe shërbimet e emergjencës ndërhynë për të monitoruar situatën dhe për të ndihmuar banorët e prekur nga këto përmbytje.