Operacioni për shuarjen e zjarrit përfundon me sukses në Lezhë

Falë punës së palodhur dhe koordinimit të forcave operacionale në terren, zjarri u vu nën kontroll dhe u shua plotësisht, duke parandaluar përhapjen e tij drejt bizneseve pranë zonës.
Forcat e Armatosura mbështetën strukturat vendore të angazhuara në operacion me efektivë, mjete tokësore, autobotë uji dhe helikopter, ndërsa në terren punuan gjithashtu shërbimet zjarrfikëse, Shërbimi Pyjor, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimet Publike dhe Bashkia Lezhë.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shprehin mirënjohjen dhe falënderimin për të gjithë efektivët dhe punonjësit e angazhuar, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim bënë të mundur përfundimin me sukses të këtij operacioni.
Mbrojtja e pyjeve është përgjegjësi e përbashkët. Njoftoni menjëherë autoritetet për çdo vatër zjarri ose rast të dyshimtë.