Operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Dibër dhe koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile u zhvillua operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e 35-vjeçarit të zhdukur në lumin Mat, pranë Urës së Vashës, në bashkinë Klos.
Në operacion u angazhuan rreth 90 forca dhe vullnetarë nga strukturat e mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor, përfshirë efektivë të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, RENEA-s, polumbarë, zjarrfikës, ekipe kërkim-shpëtimi dhe vullnetarë. Mbështetje dhanë gjithashtu ekspertë dhe forca kërkim-shpëtimi nga Kosova.
Pas kërkimeve intensive dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, trupi i 35-vjeçarit u gjet pranë Urës së Vashës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe falënderon të gjitha strukturat, ekspertët dhe vullnetarët e angazhuar për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë operacionit.