Alfred Moisiu – 95 Vjet në Shërbim të Kombit dhe Paqes: Një Homazh i Veçantë në Ambasadën e Paqes

ALFRED MOISIU – NJË JETË NË SHËRBIM TË KOMBIT & PAQES, 25. 01. 2025

Me rastin e 95-vjetorit të lindjes së Presidentit Moisiu, Federata e Paqes Universale dhe Këshilli Rajonal i Paqes Tiranë organizuan në mjediset e Ambasadës së Paqes veprimtarinë me temë “Alfred Moisiu – Një jetë në shërbim të kombit dhe paqes”. Rreth 150 personalitete të nderuara, Ambasadorë për Paqe, drejtues të Federatës së Paqes Universale në nivel evropian dhe ndërkombëtar morën pjesë në këtë veprimtari të veçantë. Surpriza e veprimtarisë ishte ceremonia e vendosjes së emrit “Alfred Moisiu” sallës së konferencave të Ambasadës së Paqes, si vlerësim ndaj kontributit të jashtëzakonshëm të Presidentit Moisiu në rritjen dhe zhvillimin e Federatës së Paqes Universale në Shqipëri dhe Ballkan, dhe në veçanti për kontributin e tij për ndërtimin e Ambasadës së Paqes në Tiranë.

Veprimtarinë, të cilën e moderoi Kryetari i Federatës së Paqes Universale Shqipëri z. Defrim Methasani, e nderuan me prezencën dhe mesazhet e tyre në nder të Presidentit Moisiu, Presidenti i Malit të Zi (2003-2018) dhe njëkohësisht Presidenti i Klubit të Podgoricës Sh.T. Filip Vujanovic; Presidenti i Kosovës në vitet 2006-2010 Sh.T. Fatmir Sejdiu përmes një video mesazhi; Ish Kryeministri i Shqipërisë Sh.T. Vilson Ahmeti; Presidenti Ndërkombëtar i Federatës së Familjes Dr. Song Yong Cheon; Kryetari i Federatës së Paqes për Evropën Dr. Michael Balcomb; Kryetari i Tarikatit Halveti në Shqipëri Sheh Hysen Hormova; Presidentja e Federatës së Familjes Shqipëri Manjola Vasmatics; ish Krytetari i Federatës së Paqes Shqipëri në vitet 2011-2015 z. Bajram Ibraj; dhe Kryetari i Këshillit Rajonal të Paqes Tiranë z. Kastriot Selita. Artisti dhe Mjeshtri i Madh Hysni Zela përshëndeti të pranishmit me dy këngë të mrekullueshme.

Pjesa e fundit e veprimtarisë iu kushtua vlerësimit të pesë personaliteteve të nderuara me titullin “Ambasador për Paqe”, të përzgjedhura me shumë kujdes nga drejtuesit e Federatës. Personalitete që u nderuan ishin Dr. Mehmet Prishtina, Prof. Dr. Greta Angjeli, Prof. Dr. Klodeta Dibra, Z. Haki Çako dhe znj. Maria Solis.

Më poshtë gjeni një album me fotografi nga veprimtaria.