Në kuadër të forcimit të kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile
Në kuadër të forcimit të kapaciteteve kombëtare për përballimin e emergjencave civile, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në bashkëpunim me Shërbimin Pyjor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (U.S. Forest Service) dhe Bazën e Mbështetjes së Emergjencave Civile (BMEC), organizoi trajnimin profesional “Intermediate Wildfire Academy”.
Trajnimi u zhvillua gjatë periudhës 20–24 prill 2026, në ambientet e Detashmentit të Mbështetjes Rajonale në Elbasan, me pjesëmarrjen e 30 përfaqësuesve nga strukturat e BMEC, AFPRA, si dhe studentë të Fakultetit të Shkencave Pyjore të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Gjatë këtij aktiviteti, ekspertët e U.S. Forest Service ndanë njohuri bashkëkohore dhe praktika të avancuara ndërkombëtare mbi parandalimin, menaxhimin dhe reagimin ndaj zjarreve në pyje, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e koordinimit në terren.
Ky trajnim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale, si dhe në thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me qëllim mbrojtjen e jetës, pronës dhe ekosistemeve pyjore në vend.