Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në Shkodër mblodhëm autoritete kombëtare dhe vendore, përfaqësues të Prefekturës dhe 5 bashkive të qarkut, si dhe strukturat e mbrojtjes civile dhe shërbimet zjarrfikëse, në një workshop konsultativ për krijimin e Platformës Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (#DRR).
Ky aktivitet vjen në vijim të një procesi të gjerë konsultimi të nisur në Tiranë dhe Fier, dhe mbështet zhvillimin e mëtejshëm të një mekanizmi kombëtar që synon të forcojë koordinimin, dialogun dhe koherencën e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë në Shqipëri.
Së bashku me partnerët, rishikuam dhe diskutuam draft konceptin e Platformës dhe ndryshimet e propozuara në Ligjin Nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, duke u fokusuar në rolet institucionale, mekanizmat e koordinimit dhe zbatimin praktik në nivel rajonal dhe vendor.
Përmes prezantimeve teknike dhe diskutimeve të strukturuara, pjesëmarrësit ndanë përvoja konkrete dhe ofruan rekomandime për të siguruar që platforma të jetë gjithëpërfshirëse, e zbatueshme dhe e përshtatur me nevojat reale në terren.
Ky proces është thelbësor për ndërtimin e një sistemi më të fortë dhe më të koordinuar të menaxhimit të riskut nga fatkeqësitë, në përputhje me kuadrin ligjor dhe prioritetet kombëtare.
Takimi u bë në kuadër të projektit “RESEAL – Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave në Shqipëri”. Projekti financohet nga Qeveria Suedeze Embassy of Sweden in Tirana (Sida), Qeveria Zvicerane Embassy of Switzerland in Albania (SECO), bashkëfinancuar nga Qeveria e Portugalisë dhe Qeveria Shqiptare.
