Në kuadër të zbatimit të aktiviteteve të komponentit të dytë të projektit të mbështetur nga JICA “Ndërtimi i Kapaciteteve për Sistemin Kombëtar të Informacionit për Zjarret në Pyje (NFFIS) dhe Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë (NbS-DRR)”, më 10 mars 2026, me organizimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, u zhvillua një vizitë në terren në zonën e pilotimit të ndërhyrjeve të bazuara në natyrë, në Ujëmbledhësin e Bovillës, UKT Tiranë.
Në këtë vizitë morën pjesë stafi i AKMC, Team Leader i projektit si dhe ekspertë japonezë, të cilët patën mundësinë të shohin nga afër ecurinë fillestare të punimeve në terren dhe të diskutojnë mbi hapat e mëtejshëm të zbatimit të projektit, në përputhje me grafikun e parashikuar të aktiviteteve.
Gjithashtu, ekipi japonez u shoqërua në ambientet e AKMC, ku u zhvillua një vizitë edhe në dhomën e serverit, me qëllim njohjen nga afër me infrastrukturën teknike në funksion të sistemit.
