UNDP dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shënuan sot një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes civile në Shqipëri, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit që formalizon dhe thellon bashkëpunimin e tyre.
Kjo marrëveshje synon ndërtimin e një sistemi më të fortë, më të koordinuar dhe më të gatshëm për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive, duke u mbështetur në asistencë teknike, projekte të përbashkëta dhe harmonizim me standardet e Bashkimit Evropian.
Memorandumi kontribuon gjithashtu në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe operacionale në nivel qendror dhe lokal, si dhe në avancimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.
