Një delegacion me përfaqësues nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian ndodhet në Shqipëri, në kuadër të një misioni këshillues disaditor të DG ECHO, përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Delegacioni ka zhvilluar gjatë këtyre ditëve vizita në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, ku u prezantua funksionimi i strukturave të koordinimit dhe menaxhimit të situatave emergjente.
Delegacioni vizitoi gjithashtu bashkinë Gramsh, një nga zonat më të prekura nga zjarret e gushtit 2025, si dhe bashkinë Lezhë, ku u diskutuan përvojat dhe masat e ndërmarra gjatë situatës emergjente. Gjithashtu, delegacioni vizitoi strukturat operacionale të mbrojtjes civile, përfshirë Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile, pjesë e Forcave të Armatosura, dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, për të njohur nga afër rolin e këtyre strukturave gjatë situatave emergjente.
Vizitat do të vijojnë edhe në institucione të tjera të sistemit të mbrojtjes civile, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.






