Në #AKMC u zhvillua sot takimi në kuadër të programit “ALBAdapt – Zhvillimi Urban Rezistent ndaj Klimës në Shqipëri”, një nga nismat më të rëndësishme kombëtare për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Qeverisë Gjermane, Ambasadës së Gjermanisë në Shqipëri, GIZ dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile duke nënvizuar mbështetjen e fortë ndërkombëtare për #AKMC dhe veçanërisht për këtë program.
ALBAdapt, i bashkëfinancuar nga qeveritë e Gjermanisë dhe Zvicrës, Fondi i Gjelbër për Klimën (GCF) dhe qeveria shqiptare, është programi më i madh i asistencës teknike në Shqipëri.
Programi synon rritjen e kapaciteteve për parashikimin dhe menaxhimin e rreziqeve klimatike, si dhe ngritjen e një sistemi të avancuar të paralajmërimit të hershëm për përmbytjet dhe fenomenet ekstreme, duke kontribuar drejtpërdrejt në shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është një nga institucionet kyçe në zbatimin e programit së bashku me GIZ dhe në partneritet me Ministrinë e Mjedisit, duke luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e rreziqeve dhe forcimin e sigurisë së komuniteteve përballë fenomeneve klimatike.
Ndërtimi i kapaciteteve mbetet thelbësor për fuqizimin e institucioneve dhe përmirësimin e aftësive, sistemeve dhe burimeve, në mënyrë që të arrihen objektivat e përbashkëta.
Krijimi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm, do të mundësojë reagim të koordinuar dhe në kohë ndaj përmbytjeve, rrëshqitjeve të tokës, valëve të të nxehtit dhe rreziqeve të tjera klimatike.
