Reagimi ndaj zjarreve masive 2025”, zhvillohet në Gjirokastër, stërvitja e strukturave të mbrojtjes civile

Për dy ditë me radhë, 11-12 qershor, në zonën e Gërhotit në Gjirokastër u zhvillua stërvitja funksionale (CPX) “Reagimi ndaj zjarreve masive 2025”, e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), në bashkëpunim me Bashkinë dhe Prefekturat e Qarqeve Gjirokastër dhe Vlorë, me angazhimin e të gjitha strukturave të mbrojtjes civile të të dy qarqeve.

Fotogaleria

110
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Haki Çako, Prefekti i Qarkut të Gjirokastrës Odise Kote, Prefekti i Qarkut të Vlorës Plator Nesturi, Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, përfaqësues të projektit dhe të institucioneve të tjera vendore dhe qendrore.

Në fjalën e tij, Drejtori i AKMC Haki Çako tha se, “kjo është një stërvitje që është fokusuar në marrjen e masave për zjarret, pasi jemi në fillim të sezonit veror, i cili kulmon me zjarre masive që kryesisht regjistrohen në pyje, kullota e pemëtari, por që krijojnë probleme edhe në zona të banuara”.

Sipas z.Çako, “fokusi kryesor është mbrojtja e jetës së qytetarëve, pronës, vlerave kulturore, gjësë së gjallë dhe të gjitha resurseve që ka vendi jonë”.
“Vitet e fundit, ndryshimet e klimës por edhe faktorë të tjerë qofshin ata edhe njerëzorë kanë kulmuar me zjarre të konsiderueshme që kanë shkaktuar, jo vetëm dëme ekonomike, por edhe pasiguri te qytetarët, dëme për turizmin, i cili po shtohet dita-ditës në vendin tonë”, nënvizoi z.Çako, teksa falenderoi të gjitha strukturat që kanë kontribuuar për shuarjen e zjarreve.

Ai ftoi në veçanti Policinë e Shtetit të vijojë me identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë zjarrvënësve, qofshin me dashje apo pa dashje, pasi sipas raportit, 90% e zjarreve janë si pasojë e faktorit njeri.
Në skenarin e stërvitjes u përfshinë: ushtrime evakuimi, ndihmë e parë dhe operacione kërkim-shpëtimi, koordinim ndërinstitucional në nivel vendor dhe rajonal.

Stërvitja u mbështet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes projektit RESEAL, i financuar nga qeveritë e Suedisë, Portugalisë, Zvicrës dhe Qeveria Shqiptare, si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e menaxhimit të risqeve dhe rritjen e aftësisë ripërtëritëse të komuniteteve në Shqipëri.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile falënderojnë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti.

https://www.mod.gov.al/newsroom-2/7252-reagimi-ndaj-zjarreve-masive-2025-zhvillohet-ne-gjirokaster-stervitja-e-strukturave-te-mbrojtjes-civile

Lajme të tjera