Situata nga zjarret në qarqet Vlorë dhe Dibër mbetet sfiduese. Terreni i thepisur, i paaksesueshëm nga mjetet dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen, por forcat në terren janë të angazhuara maksimalisht.
Në zonën e Dukatit në Vlorë, flakët kanë përfshirë zona pyjore me pisha dhe rrezikojnë përhapje të mëtejshme për shkak të erës. Forcat zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake po punojnë pa ndërprerje, ndërsa ndërhyrja ajrore është forcuar nga dy avionë Canadair të ardhur nga Greqia dhe dy helikopterë të FA-së.
Edhe në Parkun Kombëtar të Lurës, situata mbetet nën vëmendje. Dy vatra aktive mbi fshatin Gurë-Lurë dhe pranë Liqenit të Zi po kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme, ndërkohë që një avion Canadair nga Italia është angazhuar për të mbështetur operacionet nga ajri.
Ndërhyrjet në të dy qarqet po bëhen në dy fronte – tokësor dhe ajror.
Ndërkohë, vatrat vijojnë të jenë aktive në qarqet Elbasan, Lezhë, Korçë dhe Gjirokastër.