Në kuadër të Presidencës Polake të Këshillit të BE, në datat 21-23 maj 2025, u zhvillua në Sopot, Poloni, Takimi i 54-t i Drejtorëve të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile të 27 vendeve anëtare të BE-së dhe 8 shteteve pjesëmarrëse në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (UCPM).
Shqipëria mori pjesë në këtë takim të nivelit të lartë, përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, z. Haki Çako.
Takimi, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i DG ECHO, z. Maciej Popowski, u fokusua në rritjen e kapaciteteve reaguese të Mekanizmit, përmes një fryme uniteti dhe bashkëpunimi ndaj emergjencave civile. U diskutua rishikimi i Direktivës 1313/2013, forcimi i bashkëpunimit civilo-ushtarak, strategjitë për përgatitje dhe parandalim, si dhe ndërtimi i rezervave strategjike në bashkëpunim me sektorin privat.
Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu Qendrën Evropiane të Solidaritetit dhe ndoqën nga afër ushtrimet EU MODEX për modulet e mbrojtjes civile.
Një platformë e rëndësishme për të thelluar bashkëpunimin evropian dhe për të forcuar rolin aktiv të Shqipërisë në ndërtimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe solidar të mbrojtjes civile.






