Puna që duhet të bëjmë me parandalimin dhe marrjen e masave në rastin e emergjencave civile është po aq e rëndësishme sa aktivizimi në terren në raste zjarresh, përmbytjesh apo tërmetesh. Për këtë arsye, ndalesa e dytë të turit që po zhvillojmë në 12 qarqe për thirrjen e njësive administrative, u zhvillua në Shkodër.
Bashkë me Prefekten, Majlinda Angoni, drejtorin e përgjithshëm të AKMC, Haki Çako, kryebashkiakun Benet Beci dhe të gjithë kryebashkiakët e qarkut, prezantuam thirrjen për projektet e Mbrojtjes Civile ku në bazë të kërkesave, çdo bashki mund të aplikojë për të financuar investimet në infrastrukturë, mjete, rehabilitim digash dhe ura bailey.
Një takim i rëndësishëm në Qarkun e Shkodrës ku u njohëm me problematikat e çdo njësie dhe nxitëm përfaqësuesit lokalë të prezantojnë projektet deri në datën 25 nëntor për të përfituar nga buxheti më i madh i adresuar nga Qeveria për Mbrojtjen Civile.