Një takim i rëndësishëm lidhur me Ekipet Mjekësore të Urgjencës (EMT), në kuadër të Projektit IPA CARE, u zhvillua më 10-11 tetor në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Takimi i zhvilluar mes përfaqësuesve të AKMC-së, Z. Peter Glerum, drejtues i projektit, Z. Ardian Xinxo, përfaqësues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, Znj. Nieves Amat Camacho, eksperte e projektit IPA CARE nga Instituti Karolinska Suedi, ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) si dhe përfaqësues nga Urgjenca, pati në fokus informacionin mbi themelimin dhe rolin e EMT-së, si dhe procesin e certifikimit për autoritetet shëndetësore dhe palët e interesuara lokale.
Pjesëmarrësit diskutuan mbi vlerësimin e kapaciteteve të pajisjeve dhe burimeve njerëzore, duke theksuar rolin e aktorëve të ndryshëm të përfshirë.
Raporti përfundimtar mbi këtë nismë, që synon të përmirësojë përgjigjen ndaj emergjencave shëndetësore në rajon, rekomandon krijimin e një bashkëpunimi ndërsektorial për të forcuar kapacitetet e EMT-së.