Stërvitja funksionale “Pishë-Poro, 2024” , e para e këtij lloji mbështetur nga UNDP Albania, në kuadër të projektit RESEAL, u zhvillua më 2 dhe 3 korrik në qarkun e Fierit, me pjesëmarrjen e 18 institucioneve qendrore dhe vendore të sistemit të Mbrojtjes Civile , ndër të cilat Prefektura Fier, të gjashtë bashkitë e qarkut , Drejtoria e Përgjithshme e Policisë , ajo e Mbrojtjes nga Zjarri , Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore , Operatori i Shërbimit Shëndetësor , Agjencia e Zonave të Mbrojtura , Agjencia e Pyjeve , Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Forcat e Armatosura , spitali rajonal Fier, spitali ‘Memorial’ dhe Instituti i Gjeoshkencave.
Synimi i kësaj stërvitjeje, me skenar një zjarr masiv në pyllin e Pishë-Poros , ishte testimi dhe vlerësimi i roleve dhe përgjegjësive të institucioneve dhe strukturave pjesëmarrëse për menaxhimin, koordinimin dhe ndërveprimin mes tyre në rastin e skenarit të mësipërm, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efektivitetit në menaxhimin e fatkeqësive .
Kjo stërvitje pritet të pasohet nga një tjetër e këtij lloji, por me skenar përmbytjeje , deri në fund të këtij viti.