Krenar që, bashkë me qeverinë italiane, finalizuam një projekt të rëndësishëm për t’i dhuruar Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile një “shtëpi” të denjë për të përballuar edhe më me efikasitet dhe profesionalizëm situatat delikate të mbrojtjes civile.
Sot me drejtorin e përgjithshëm të #AKMC, Haki Çako dhe drejtoreshën e Agjencisë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Stefania Vizzaccaro, përuruam ambjentet e reja ku do të koordinohet e gjithë puna për menaxhimin e emergjencave civile.
Edhe pse kanë kaluar vetëm 5 vite nga krijimi, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka luajtur një rol të rëndësishëm në përballimin e fatkeqësive gjatë viteve të fundit dhe është rritur si institucion përmes trajtimit të krizave, duke u vendosur në qendër të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Ndërkohë, Qendra e saj Kombëtare Operacionale është një aset me kapacitet kombëtar duke u shërbyer të gjitha zonave dhe institucioneve në përballimin e fatkeqësive dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit.
Me të gjitha instrumentet teknologjike që #AKMC disponon, ka ardhur momenti që Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile ta shtrijmë edhe në katër njësi rajonale duke fuqizuar më tej burimet njerëzore, kapacitetet, mjetet dhe pajisjet. Në këtë mënyrë, ky model i iniciuar mund të prezantohet në gjithë territorin, shqiptar.