Sipas raportimeve të strukturave të Mbrojtjes Civile, reshjet e dëborës dhe shiu kanë shkaktuar bllokime dhe vështirësi në disa akse rrugore, kryesisht në qarqet Dibër, Kukës, Elbasan, Tiranë dhe Vlorë. Ekipet po punojnë për hapjen e rrugëve të bllokuara dhe mirëmbajtjen e akseve të qarkullueshme. Në disa zona, përfshirë qytetin e Vlorës, janë raportuar përmbytje urbane për shkak të reshjeve intensive.
Në portin e Durrësit është ndaluar lundrimi i trageteve dhe anijeve të vogla, ndërsa porti i Vlorës nuk ka raportuar probleme. Nivelet e lumenjve dhe rezervuarëve janë brenda normave dhe nuk përbëjnë rrezik.
🔍 Parashikimi i motit
Reshjet e dëborës do të vazhdojnë në zonat malore mbi 300 m, ndërsa reshjet intensive të shiut pritet të prekin disa qarqe, kryesisht Vlorë, Gjirokastër dhe zona të tjera qendrore e jugore. Temperaturat do të bien ndjeshëm, duke krijuar ngrica dhe vështirësi në lëvizje.
Këshillojmë qytetarët të tregojnë kujdes gjatë qarkullimit, të përdorin goma dimërore dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.
Monitorimi dhe koordinimi vazhdojnë për të menaxhuar çdo situatë emergjente.
Ju lutemi ndiqni njoftimet zyrtare për informacion të mëtejshëm dhe kontaktoni shërbimet e emergjencës për çdo problematikë.