Lumi Buna bëhet arenë e një operacioni stërvitor ndërkombëtar!

Lufta me natyrën – Lumi Buna bëhet arenë e një operacioni stërvitor ndërkombëtar!

Operacioni stërvitor ndërkombëtar “Flood North Albania” kulmoi sot, në ditën e dytë, me një demonstrim të gjerë të ndërhyrjeve në ndihmë të banorëve, në një situatë të simuluar përmbytjeje.

Aktiviteti u zhvillua në Lumin Buna, në Shkodër, dhe përfshiu disa skenarë që pasqyronin sfidat reale në raste fatkeqësish natyrore. U zhvillua një operacion shpëtimi për banorët e izoluar nga uji, u ndërmorën veprime për evakuimin dhe ndihmën e personave të plagosur, si dhe për shpëtimin e bagëtive të rrezikuara nga përmbytja. Një tjetër ndërhyrje u realizua për të izoluar pasojat e një përmbytjeje të një magazine me plehra kimike dhe pesticide, duke trajtuar kështu edhe aspektin e rrezikut mjedisor. Pjesë e stërvitjes ishin edhe helikopterë të ushtrisë shqiptare, të cilët kryen një operacion delikat për shpëtimin nga mbytja të disa personave.

Stërvitja përfshin kapacitete të shumta nga shërbimi i urgjencës shëndetësore, forcat e policisë, ushtria dhe Kryqi i Kuq. Shqipëria është vendi pritës i kësaj stërvitjeje të përmasave rajonale dhe ndërkombëtare, ku marrin pjesë 13 partnerë, nga 8 vende, nga Ballkani dhe më gjerë. Qëllimi i këtij angazhimi të përbashkët është testimi i përgatitjes së forcave të mbrojtjes civile për përballimin e përmbytjeve, vlerësimi i gatishmërisë së institucioneve vendase si dhe forcimi i koordinimit mes autoriteteve vendase dhe ndihmës ndërkombëtare.

Ky është gjithashtu një test i suksesshëm organizativ për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, që luan një rol kyç në zhvillimin e këtij projekti. Drejtori i saj, z. Haki Çako, u shpreh se kjo stërvitje është një hap shumë i rëndësishëm për të perfeksionuar bashkëpunimin rajonal në përballimin e fatkeqësive natyrore.

Projekti është financuar nga DG ECHO, Bashkimi Evropian, dhe ka nisur në janar të vitit 2024 për të përfunduar në dhjetor 2025. Lider i projektit është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile të Shqipërisë, ndërsa në partneritet janë përfshirë edhe Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Linku mbështetës: https://www.facebook.com/akmc.gov.al/videos/1381413753045396

Lajme të tjera