KTK Diskuton Masat për Emergjencat dhe Prezanton Sistemin e Ri të Inventarizimit të Fatkeqësive

Komisioni Teknik Këshillimor (KTK) për zvogëlimin e riskut të fatkeqësive, u mblodh sot, më 18 korrik, në takimin e parë të radhës për këtë vit, në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC) në Tiranë.

Temat kryesore të trajtuara në këtë takim ishin masat përgatitore dhe situata aktuale e emergjencave të shkaktuara nga zjarret në pyje, domosdoshmëria e mbledhjes, administrimit dhe shpërndarja e të dhënave mbi dëmet dhe humbjet nga fatkeqësitë si dhe prezantimi i softuerit të bazës së të dhënave dhe humbjeve nga fatkeqësitë.

Ky softuer, ose ndryshe Sistemi i Inventarizimit të Fatkeqësive (SIF) është risi dhe iu prezantua të gjithë të pranishmëve, sidomos atyre nga bashkitë dhe prefekturat e vendit, të cilët do të jenë përdoruesit kryesorë të saj, për të hedhur të gjitha ngjarjet apo fatkeqësitë e ndodhura në bashkitë përkatëse.

Komisioni Teknik Këshillimor (KTK) është një organ i përhershëm, nën drejtimin e AKMC-së, që ka si detyrë të këshillojë për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive.

KTK-ja, që kryesohet nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, ka në përbërje përfaqësues të strukturave me përgjegjësi në fushën e mbrojtjes civile dhe mblidhet dy herë në vit.

Lajme të tjera