Misioni

Mbrojtja Civile synon krijimin e kushteve për një shoqëri të aftë për të zvogëluar risqet e fatkeqësive, për të parandaluar, përgatitur, përballuar fatkeqësitë dhe për t’u rimëkëmbur, nëpërmjet një sistemi të integruar dhe efikas të mbrojtjes civile në Republikën e Shqipërisë.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është person juridik publik qendror, në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile dhe përgjigjet për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
AKMC ushtron autoritet koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.
AKMC organizohet si drejtori e përgjithshme në nivel qendror, ndërsa në nivel vendor organizohet në bazë qarku, sipas qendrave të mbrojtjes civile në qark. Brenda strukturës së AKMC funksionon Drejtoria e Zvogëlimit të Riskut dhe Fatkeqësive dhe e Parandalimit, e cila harton programe, strategji dhe dokumente e metodologji për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në nivel kombëtar; Drejtoria e Gatishmërisë dhe Koordinimit të Përgjigjes Emergjente, e cila realizon gatishmërinë dhe koordinimin e strukturave të mbrojtjes civile për menaxhimin e informacionit mbi një kërcënim të afërt apo rrezik të evidentuar dhe vendosjen në veprim të kapaciteteve të nevojshme që disponohen, për përgjigjen e menjëhershme dhe përballimin e situatës së emergjencës civile apo ndihmës humanitare; Drejtoria e Rehabilitimit, Rimëkëmbjes dhe Kompensimit nga Fatkeqësitë, e cila monitoron realizimin e masave strukturore për shmangien apo zvogëlimin e ndikimit të rreziqeve, masave për rehabilitimin e rimëkëmbjen e komunitetit/shoqërisë të prekur nga një fatkeqësi, si dhe krijimin e bazës së të dhënave kombëtare të humbjeve nga fatkeqësitë, vlerësimin e tyre dhe kompensimin; Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Projekteve, e cila bashkërendon veprimtarinë ndërinstitucionale për bashkëpunimin me organizmat ndërkombëtarë në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë e të projekteve në fushën e mbrojtjes civile, si dhe programimin dhe zbatimin e mbështetjes financiare nga donatorë dhe organizma të huaj apo vendas; Drejtoria e Edukimit, Trajnimit dhe Teknologjisë së Informacionit, e cila harton dhe zhvillon programet e edukimit e trajnimin e komunitetit dhe strukturave të sistemit të mbrojtjes civile për rritjen e aftësive të parandalimin dhe përgjigjes ndaj situatave të emergjencës civile apo fatkeqësive, si edhe zbatimin dhe miradministrimin e infrastrukturës së teknologjisë së informacionit; Drejtoria e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse, e cila siguron miradministrimin e burimeve financiare, njerëzore, aseteve e shërbimeve, si dhe ofrimin e këshillimit ligjor dhe plotësimin e nevojave për mallra e shërbime të aparatit të institucionit, Qendrat e mbrojtjes Civile në Qarqet: Shkodër, Durrës, Fier dhe Korçë, të cilat përgjigjen për monitorimin e zbatimit të politikave të mbrojtjes civile nga institucionet publike në nivel vendor/rajonal, dhe koordinimin e bashkëpunimin për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore dhe kryerjen e operacioneve të emergjencave civile.