Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile shpall thirrjen e aplikimit për të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, për paraqitjen e projekteve në kuadër të mbrojtjes civile. Fushat në të cilat Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u kërkon bashkive në të gjithë vendin që të paraqesin projektet e tyre janë;
- Investimet në infrastrukturë ku do të pranohen projektet me një shumë totale financiare jo më të lartë se 100,000,000 lekë. Thirrja në këtë fushë përfshin edhe “Urat Bailey”.
- Blerja e automjeteve për përdorim të veçantë, makineri teknologjike dhe mjete rrugore të veçanta, të përcaktuara si të tilla sipas parashikimeve të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë. Këto mjete do të përdoren për përballimin e situatave emergjente të krijuara si pasojë e fatkeqësive natyrore.
- Rehabilitimi i digave, ku kostoja totale e projektit nuk duhet të kalojë shumën prej 50,000,000 lekësh.
Thirrja bëhet për projekte të reja dhe projekte ekzistuese, ndërsa Ministria e Mbrojtjes dhe AKMC gjatë ditëve në vazhdim do të zhvillojnë takime informuese me drejtuesit e 12 qarqeve duke evidentuar edhe problematikat në të gjitha zonat me rrisk të lartë.
Ministria e Mbrojtjes rrit në këtë mënyrë vigjilencën për mbrojtjen civile në të gjithë vendin, pasi me këtë thirrje të adresuar njësive vendore synon forcimin e strukturave lokale për të përballuar me sukses rastet e emergjencave. Afati i fundit për paraqitjen e projekteve pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është data 25 nëntor 2024.
Aplikimi mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes