Falë angazhimit të koordinuar të të gjitha strukturave në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe ndihmës së Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, situata në grykën e Paliskës, e cila lidhet me zonën e mbrojtur të Llogarasë, është drejt përmirësimit të ndjeshëm.
Sipas komunikimit të vazhdueshëm me drejtuesin e zonave të mbrojtura dhe shefin e Qendrës së Mbrojtjes Civile (QMC) Jug, të cilët ndodhen në terren bashkë me forca operacionale, situata aktuale është pozitive dhe pa rrezik të shtuar për zonën e Llogarasë apo për banorët e afërt.
Aktualisht, përpjekjet janë përqendruar në shuarjen e plotë të disa trungjeve ende të ndezur brenda vatrave tashmë të kontrolluara. Në vijim, në këtë segment do të ndërhyhet nga ajri me helikopterët “Cougar” të Forcave të Armatosura, për të përfunduar fazën e pastrimit dhe izolimit të plotë të çdo rreziku të mundshëm.
Gjendja në të gjithë zonën mbetet e qëndrueshme, ndërsa strukturat mbeten në gadishmëri për çdo zhvillim të mundshëm.


