Në kuadër të bashkëpunimit me NATO-n, me qëllim rritjen e kapaciteteve të sistemit të Mbrojtjes Civile në Shqipëri, është mundësuar fillimi dhe implementimi i sistemit NICS, (CACHE – Command And Control for Health and Environmental Security). Ky projekt financohet nga zyra SPS në NATO dhe Shqipëria për herë të parë, drejton një projekt së bashku me ekipet e Gjeorgjisë dhe SHBA.
Më 14 dhe 15 tetor në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC), nën drejtimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), u zhvillua takimi ku morën pjesë përfaqësues nga grupi amerikan MIT, Grupi gjeorgjian, NATO, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura (SHPFA), Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Qendra e Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, takim ky i cili synon zhvillimin e kapaciteteve të teknologjisë së informacionit për menaxhimin e fatkeqësive në Shqipëri.
Aktiviteti dy-ditor pati si objektiv, shpjegimin e funksionalitetit të sistemit NICS (Sistemi i Gjeneratës së Ardhshme për Komandimin e Incidentit) në lidhje me monitorimin e operacionit, marrjen e të dhënave operacionale në kohë reale dhe mbështetjen e procesit të vendimmarrjes, identifikimin e tipareve teknike të infrastrukturës dhe teknikës së nevojshme për instalimin e këtij sistemi në AKMC, si dhe prezantimin mes tyre të ekipeve shqiptare, gjeorgjiane dhe amerikane.
Çfarë është NICS?
NICS është një platformë drejtimi e komandimi që mundëson koordinim dhe ndërveprim për reagim. Është i ndërtuar për të përmirësuar njohjen e situatës dhe koordinimin e forcave operacionale, si dhe ndërveprimin e strukturave dhe agjencive të ndryshme në reagimin ndaj fatkeqësisë dhe emergjencave, pavarësisht llojit dhe përmasave të tyre. Është krijuar për institucionet dhe strukturat e sistemit të mbrojtjes civile në nivel qendror dhe vendor si, ministritë e linjës, institucionet qendrore, strukturat operacionale, prefekturat dhe bashkitë për të mbështetur aktivitetet e gatishmërisë, planifikimit, reagimit dhe rimëkëmbjes.





