Sistemi i Mbrojtjes Civile

Sistemi i mbrojtjes civile është sistemi që kryen funksionin e mbrojtjes civile dhe përfshin aftësitë dhe aktivitetet që synojnë mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit nga dëmtimi ose rreziku i dëmtimit, si pasojë e fatkeqësive, dhe përbëhet nga:

a) institucione dhe struktura qendrore të mbrojtjes civile;

 b) institucione dhe struktura vendore të mbrojtjes civile;

 c) struktura operacionale të mbrojtjes civile. 

Institucionet dhe strukturat qendrore të mbrojtjes civile janë:

a) Kuvendi;

b) Këshilli i Ministrave;

c) Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile;

ç) Komiteti i Mbrojtjes Civile (KMC) dhe zyra përgjegjëse për situatën;

d) ministri përgjegjës për mbrojtjen civile;

dh) ministritë dhe institucionet qendrore;

e) Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile;

ë) komisioni teknik këshillimor;

f) qendrat e mbrojtjes civile në qark (QMCQ).

Kuvendi ushtron këto përgjegjësi:

a) miraton buxhetin e AKMC-së, si pjesë e buxhetit të ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen civile; 10

b) ushtron kontroll parlamentar për çështje që kanë lidhje me mbrojtjen civile;

c) ratifikon marrëveshje ndërkombëtare mbi mbrojtjen civile;

ç) vendos për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë përtej 30 ditëve të shpallura nga Këshilli i Ministrave.

Këshilli i Ministrave miraton dhe siguron zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë dhe ka këto përgjegjësi:

a) miraton Strategjinë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë në Republikën e Shqipërisë;

b) miraton Planin Kombëtar për Emergjencat Civile;

c) miraton dokumentin e vlerësimit të riskut në nivel qendror;

ç) mund të vendosë për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit;

d) informon Kuvendin e Republikës së Shqipërisë nëpërmjet ministrit për situatën e krijuar, rreziqet që paraqiten dhe masat e marra për menaxhimin e situatës, si dhe kërkon miratimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë përtej 30 ditëve.

Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile

1. Për çdo rast të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, sipas këtij ligji, Këshilli i Ministrave krijon Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) dhe cakton kryetarin, i cili mund të jetë Kryeministri, Zëvendëskryeministri ose një ministër, në varësi të llojit të fatkeqësisë.

2. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile është organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve materiale e financiare për përballimin e fatkeqësisë natyrore.

3. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile ushtron funksionet dhe detyrat e tij për aq kohë sa zgjat gjendja e fatkeqësisë natyrore.

4. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile mund të thërrasë ekspertë për këshillime në lidhje me menaxhimin e fatkeqësive.

5. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile kryen këto detyra:

 a) bashkërendon gjithë veprimtarinë e institucioneve dhe të strukturave të mbrojtjes civile;

b) përcakton mënyrat dhe procedurat për përdorimin e burimeve materiale e financiare;

c) vendos shpërndarjen e fondeve për rimëkëmbjen nga fatkeqësitë natyrore;

ç) cakton drejtuesin qendror të operacionit për menaxhimin e fatkeqësisë natyrore;

d) kryen detyra të tjera që burojnë nga ky ligj dhe detyra të veçanta të caktuara nga Këshilli i Ministrave për përballimin e fatkeqësisë.

Komiteti i Mbrojtjes Civile dhe zyra përgjegjëse për situatën.

 1. Komiteti i Mbrojtjes Civile është organi më i lartë, i përhershëm, përgjegjës për zbatimin e politikave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në Republikën e Shqipërisë.

2. Zyra përgjegjëse për situatën është strukturë pranë Kryeministrit për mbledhjen e informacionit për emergjencat civile, krizat dhe hartimin e raporteve analitike periodike për Kryeministrin, Këshillin e Ministrave dhe KMC-në, si dhe mbajtjen e komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe strukturave të tjera të ngarkuara me funksione të emergjencave civile dhe krizave.

3. Organizimi dhe funksionimi i KMC-së, si dhe bashkëpunimi ndërinstitucional i institucioneve dhe i strukturave të sistemit të mbrojtjes civile përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Ministri përgjegjës për mbrojtjen civile Ministri përgjegjës për mbrojtjen civile ka këto përgjegjësi:

a) përcakton drejtimet strategjike dhe objektivat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;

b) harton dhe mbikëqyr zbatimin e politikave të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe të mbrojtjes civile;

c) informon, periodikisht, Këshillin e Ministrave në lidhje me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;

ç) mbikëqyr menaxhimin e buxhetit të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, sipas legjislacionit financiar në fuqi.

Ministritë dhe institucionet qendrore

1. Çdo ministër dhe drejtues institucioni qendror është përgjegjës për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore apo të kompetencave të tyre.

2. Ministritë dhe institucionet qendrore kanë këto detyra:

a) hartojnë, miratojnë dhe përditësojnë planin për emergjencat civile, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore dhe e dërgojnë atë në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për qëllime analize dhe planifikimi;

b) planifikojnë buxhet vjetor për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas fushës së përgjegjësisë së tyre shtetërore. Për ministritë përgjegjëse për mbrojtjen civile, mbrojtjen, punët e brendshme, transportin, infrastrukturën, bujqësinë, shëndetësinë, energjetikën, arsimin, mjedisin dhe kulturën, planifikimi buxhetor duhet të jetë nga 2 % deri në 4 % e totalit të buxhetit vjetor;

c) organizojnë dhe mirëmbajnë sistemet e monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në fushën e veprimtarisë së tyre;

ç) brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijojnë bazën e të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë në fushën e përgjegjësisë së tyre, të cilën e mirëmbajnë, e përditësojnë, si dhe shkëmbejnë informacione me AKMC-në;

d) informojnë në mënyrë të vazhdueshme AKMC-në lidhur me aktivitetet e ndryshme në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile; 12

dh) analizojnë gjendjen ekzistuese të kapaciteteve administrative, teknike dhe financiare për mbrojtjen civile, me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të tyre dhe informojnë të paktën një herë në vit AKMC-në për to;

e) kryejnë vlerësimin e humbjeve nga fatkeqësitë, sipas fushës së përgjegjësisë;

ë) angazhojnë të gjitha kapacitetet që disponojnë për përballimin e fatkeqësive.

 3. Përveç detyrimit për sigurimin e fondeve financiare dhe alokimin e tyre në kohë, për ndërhyrjen me forca, mjete dhe detyrimet që i lindin si pasojë e fushës së përgjegjësisë shtetërore, është e nevojshme që në raste fatkeqësish:

a) ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile të angazhohet në mënyrë të pandërprerë për mbrojtjen e jetës së njerëzve, për operacionet e shpërndarjes së ndihmave humanitare dhe, nëpërmjet AKMC-së, të koordinojë e të bashkërendojë të gjitha veprimet e forcave operacionale, të mbajë kontakte me qendrat ndërkombëtare të informimit në raste fatkeqësish (si dhe me shërbimet homologe të vendeve të tjera, të administrojë donacionet financiare të akorduara për emergjencat civile dhe fatkeqësitë, të krijojë sasinë e nevojshme me mallra ushqimore e industriale për zonat e prekura);

b) ministria përgjegjëse për punët e brendshme të dislokojë forca dhe mjete pranë zonave të prekura, si dhe të koordinojë veprimet e tyre;

c) ministria përgjegjëse për infrastrukturën dhe energjinë të marrë masa për kalueshmërinë pa ndërprerje të akseve rrugore kombëtare, të monitorojë prurjet në ujëmbledhësit e hidrocentraleve, me qëllim parandalimin e pasojave që mund të vijnë nga shkarkimet e detyruara nga hidrocentralet, të sigurojë furnizimin pa ndërprerje me energji elektrike të hidrovorëve dhe të zonave të prekura, të monitorojë dhe të eliminojë pasojat nga fatkeqësitë në miniera ose të shkaktuara nga hidrokarburet;

ç) ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe bashkitë mbajnë në gatishmëri infrastrukturën e ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre, si dhe sigurimin e bazës ushqimore të gjësë së gjallë, me qëllim parandalimin e humbjeve;

d) ministria përgjegjëse për shëndetësinë duhet të ketë në gatishmëri spitalet rajonale dhe të sigurojë funksionimin normal të qendrave shëndetësore të njësive të vetëqeverisjes vendore, shërbimin e urgjencës mjekësore, duke siguruar edhe rezervat e nevojshme të personelit mjekësor dhe të medikamenteve mjekësore dhe furnizimin e plotë të zonave të prekura;

dh) ministria përgjegjëse për mjedisin, pyjet, kullotat dhe zonat e mbrojtura mjedisore, në bashkëpunim me strukturat e varësisë së saj, të marrë masa dhe të asistojë teknikisht në përballimin e fatkeqësive natyrore;

e) Ministria e Mbrojtjes angazhon Forcat e Armatosura dhe kapacitetet e tjera të saj, me qëllim mbrojtjen e jetës së njerëzve, të gjësë së gjallë, të pronës, të trashëgimisë kulturore dhe të mjedisit;

ë) ministria përgjegjëse për trashëgiminë kulturore angazhohet dhe bashkërendon punën me institucionet e specializuara të varësisë, për zbatimin e masave për parandalimin dhe mbrojtjen e pasurisë kulturore në rastet e fatkeqësive.

f) ministria përgjegjëse për arsimin merr çdo masë për vijimin pa ndërprerje të procesit arsimor.

4. Çdo ministri ka pozicione pune deri në nivel sektori për mbrojtjen civile, përbërja dhe detyrat e të cilëve miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile

 1. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) është person juridik publik qendror, në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen civile dhe përgjigjet për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

2. Agjencia ka flamurin, stemën dhe uniformën e saj, të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

3. AKMC-ja ushtron autoritet koordinues, bashkërendues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

 4. AKMC-ja organizohet si drejtori e përgjithshme në nivel qendror, ndërsa në nivel vendor organizohet në bazë qarku, sipas qendrave të mbrojtjes civile në qark.

5. Me përjashtim të Drejtorit të Përgjithshëm të AKMC-së, nëpunësit e AKMC-së, në nivel qendror dhe vendor, gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të AKMC-së, në nivel qendror dhe vendor, rregullohen sipas legjislacionit për statusin e nëpunësit civil. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të AKMC-së, në nivel qendror dhe vendor, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

6. AKMC-ja ushtron këto detyra kryesore:

a) zbaton politikën e Këshillit të Ministrave në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;

b) zbaton drejtimet strategjike dhe objektivat e përcaktuar nga ministria përgjegjëse për mbrojtjen civile;

c) koordinon dhe bashkërendon punën për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë, Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe vlerësimin e riskut nga fatkeqësitë në nivel qendror;

ç) bashkëpunon me organizmat ndërkombëtarë dhe organizatat homologe ndërkombëtare në kuadër të mbrojtjes civile dhe të zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë;

d) planifikon fonde për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese ndaj fatkeqësive, në infrastrukturën e dëmtuar, si edhe veprimtari të tjera në fushën e mbrojtjes civile, kriteret dhe procedurat e akordimit të të cilave përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave;

dh) krijon dhe zbaton metodologjinë për hartimin e planeve për emergjencat civile;

e) promovon format, metodologjitë, mënyrat racionale për grumbullimin, regjistrimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit mbi fatkeqësitë;

ë) nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Trajnimeve për Mbrojtjen Civile, kryen trajnimet e strukturave shtetërore, të subjekteve private e vullnetare;

f) përgatit programin e trajnimit të strukturave të mbrojtjes civile, në nivel qendror dhe vendor;

g) lidh marrëveshje me organizata jofitimprurëse ose subjekte të tjera juridike, brenda dhe jashtë vendit, në lidhje me mbrojtjen civile;

gj) kryen inspektimin për zbatimin e dispozitave të këtij ligji për mbrojtjen civile për institucionet dhe strukturat shtetërore dhe subjektet private.

7. Organizimi dhe funksionimi i AKMC-së, si dhe detyrat e tjera të saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

8. Struktura dhe organika e AKMC-së, në nivel qendror dhe vendor, miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit.

9. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe për sjelljen e personelit të AKMC-së, në nivel qendror dhe vendor, miratohet nga ministri, me propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të AKMC-së. Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së

1. Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile është autoriteti më i lartë administrativ i AKMC-së dhe përgjigjet drejtpërdrejt para ministrit për realizimin e politikave dhe të objektivave të përcaktuar.

2. Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së emërohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

3. Drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së ka këto përgjegjësi:

a) organizon, drejton dhe kontrollon veprimtarinë e AKMC-së;

b) menaxhon burimet njerëzore;

c) menaxhon dhe është përgjegjës për buxhetin;

ç) nxjerr akte administrative në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative;

d) përfaqëson AKMC-në në marrëdhënie me institucionet e tjera brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet teknike dy ose shumëpalëshe jashtë vendit;

dh) kryen detyra të tjera, në zbatim të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi.

Komisioni teknik këshillimor

1. Në ministrinë përgjegjëse për mbrojtjen civile, nën drejtimin e AKMC-së, krijohet dhe funksionon komisioni teknik këshillimor, i cili këshillon për zvogëlimin e riskut ndaj fatkeqësive.

2. Komisioni teknik këshillimor kryesohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe ka në përbërje përfaqësues të strukturave me përgjegjësi në fushën e mbrojtjes civile.

3. Detyrat, përbërja dhe funksionimi i këtij komisioni miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Qendrat e mbrojtjes civile në qark

1. Qendrat e mbrojtjes civile në qark (QMCQ) janë struktura në varësi të AKMC-së, me seli në çdo qark, dhe përbëjnë rrjetin institucional të specializuar, që zbatojnë detyrat për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në qark.

2. Përbërja, detyrat dhe funksionet e qendrave të mbrojtjes civile në qark miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Seksioni II Institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile

Institucionet dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile Institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile, në nivel vendor, janë:

a) prefekti i qarkut;

b) komisioni i mbrojtjes civile në nivel qarku dhe bashkie;

c) bashkitë;

15 ç) strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qendrore të mbrojtjes civile.

Prefekti i qarkut

1. Prefekti i qarkut ka rol parësor në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile në nivel qarku.

2. Përveç detyrave të përcaktuara në ligjin për prefektin e qarkut, prefekti i qarkut ka dhe këto detyra:

 a) të kthejë buxhetin e vitit pasardhës të bashkive brenda territorit administrativ të tij, në rast se nuk janë planifikuar fondet buxhetore për marrjen e masave për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, sipas parashikimeve të nenit 65 të këtij ligji;

b) brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kryen vlerësimin e risqeve në territorin e qarkut përkatës, duke hartuar dhe miratuar dokumentin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë në nivel qarku, i cili i dërgohet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për qëllim analizimi dhe planifikimi;

c) koordinon veprimtarinë e organeve, institucioneve dhe strukturave që veprojnë në nivel qarku, me qëllim zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile dhe pas ezaurimit të të gjitha kapaciteteve brenda qarkut për përballimin e emergjencës civile ose fatkeqësisë, i kërkon ndihmë për ndërhyrje Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;

ç) bashkëpunon me bashkitë për realizimin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë në qark, si dhe për informimin e publikut e të komunitetit të rrezikuar nga fatkeqësitë në lidhje me to;

d) harton, miraton dhe përditëson Planin për Emergjencat Civile në qark dhe e dërgon në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për qëllim analizimi dhe planifikimi;

dh) grumbullon dhe përpunon të dhënat e nevojshme nga bashkitë dhe strukturat e tjera që veprojnë në nivel qarku, për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si dhe informon në mënyrë të vazhdueshme Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;

e) siguron funksionimin e sistemit të monitorimit, paralajmërimit të hershëm, njoftimit dhe alarmit në territorin e qarkut dhe informon në kohë komunitetin e rrezikuar, prefektët e qarqeve fqinje, si dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për fatkeqësitë në territorin e qarkut;

ë) merr masat e nevojshme për përballimin dhe lehtësimin e pasojave nga fatkeqësitë;

 f) koordinon shpërndarjen e asistencës ndërkombëtare në rastet e fatkeqësive në nivel qarku;

g) përcakton prioritetet për nevojat e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, investimet emergjente të nevojshme në nivel qarku, me qëllim parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin nga fatkeqësitë;

gj) brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijon bazën e të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë në nivel qarku, të cilën e mirëmban dhe e përditëson, si edhe shkëmben informacione me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe, sipas rastit, me prefektët e qarqeve fqinje;

h) koordinon forcat operacionale në nivel qarku në rastet e fatkeqësive dhe cakton drejtuesin e operacionit në nivel qarku;

i) bashkëpunon me bashkitë e qarkut dhe me prefektët e qarqeve fqinje, në zbatim të detyrave që lidhen me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, me qëllim bashkimin e kapaciteteve të tyre për trajtimin e çështjeve të përbashkëta në këtë fushë; 16

j) angazhon kapacitetet brenda qarkut për përballimin e situatave të krijuara nga fatkeqësitë, si edhe qytetarët, sipas përcaktimeve të nenit 26 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

k) në rast emergjence civile apo fatkeqësie, ka për detyrë të realizojë përhapjen dhe shkëmbimin e informacionit me AKMC-në, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe prefektët e qarqeve të tjera të prekura ose të rrezikuara, si dhe të promovojë e të koordinojë marrjen e masave të nevojshme për përballimin e situatës, monitorimin dhe zbatimin e shërbimeve urgjente, aktivizimin e institucioneve dhe administratave për ndërhyrje specifike;

l) kontrollon zbatimin e masave të marra nga bashkitë e qarkut për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile;

 ll) i drejton kërkesë për mbështetje AKMC-së, sipas kërkesës së bërë nga bashkitë.

Komisioni i mbrojtjes civile në nivel qarku dhe bashkie

1. Në çdo qark, nën drejtimin e prefektit të qarkut, krijohet dhe funksionon komisioni i mbrojtjes civile.

2. Në çdo bashki, nën drejtimin e kryetarit të bashkisë, krijohet dhe funksionon komisioni i mbrojtjes civile.

3. Përbërja, funksionimi dhe detyrat e komisioneve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, miratohen me urdhër të prefektit/kryetarit të bashkisë.

Bashkitë 

Bashkitë kanë këto detyra:

a) brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kryejnë vlerësimin e risqeve në territorin e tyre, duke hartuar dhe miratuar dokumentin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë, të cilin ia dërgojnë prefektit të qarkut dhe Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, për qëllime analizimi dhe planifikimi;

b) informojnë publikun dhe komunitetin e rrezikuar, bazuar në dokumentin e vlerësimit të riskut nga fatkeqësitë;

c) hartojnë dhe rishikojnë strategjinë për zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë;

ç) hartojnë, miratojnë dhe përditësojnë planin vendor për emergjencat civile dhe ia dërgojnë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe prefektit të qarkut, për qëllime analizimi dhe planifikimi.

d) organizojnë veprimtari trajnuese në fushën e mbrojtjes civile për punonjësit dhe banorët në territorin e tyre;

dh) sigurojnë funksionimin e sistemit të monitorimit, të paralajmërimit të hershëm, të njoftimit dhe të alarmit në territorin e tyre dhe informojnë në kohë komunitetin e rrezikuar, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe prefektin e qarkut për fatkeqësitë në territorin e qarkut;

e) sigurojnë, administrojnë dhe përditësojnë të dhënat e nevojshme për shtetasit dhe për subjektet private, të mundshme për t’u planifikuar dhe angazhuar në parandalimin dhe përballimin e fatkeqësive; ë) brenda 2 vjetëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, krijojnë bazën e të dhënave të humbjeve nga fatkeqësitë për territorin e bashkisë, të cilën e mirëmbajnë dhe e përditësojnë, si edhe shkëmbejnë informacione me prefektin e qarkut dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile; 17

 f) kryejnë investime parandaluese, mbrojtëse dhe rehabilituese nga fatkeqësitë dhe informojnë për këto investime në mënyrë të vazhdueshme prefektin e qarkut, si dhe Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

g) caktojnë drejtuesin e operacionit në nivel bashkie për përballimin e fatkeqësisë në territorin e saj;

gj) kryejnë vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë në territorin e tyre, vlerësimin e nevojave për përballimin e tyre, si dhe dëmshpërblejnë shtetasit për fatkeqësitë e ndodhura në territorin e tyre;

h) bashkëpunojnë me bashkitë fqinje në zbatim të detyrave që lidhen me zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, me qëllim bashkimin e kapaciteteve të tyre për trajtimin e çështjeve të përbashkëta në këtë fushë.

i) mbajnë në gatishmëri sistemet e mbrojtjes nga zjarri, kalueshmërinë e pandërprerë të rrugëve rurale, vendet e strehimit, si dhe mbledhin dhe administrojnë rezervat ushqimore për njerëzit dhe gjënë e gjallë.

j) aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private brenda territorit administrativ të tyre, bashkëpunojnë dhe asistojnë bashkitë fqinje dhe marrin çdo masë tjetër të nevojshme për përballimin dhe lehtësimin e fatkeqësive.

k) mbajnë në gatishmëri infrastrukturën e ujitjes, të kullimit, të mbrojtjes nga përmbytja dhe digat e rezervuarëve në administrim të tyre.

Strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe strukturave qendrore të mbrojtjes civile

Strukturat e decentralizuara të institucioneve dhe të strukturave qendrore të mbrojtjes civile, që operojnë në nivel vendor, angazhohen në mënyrë aktive në zvogëlimin e riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile, si dhe janë pjesë integrale e komisioneve të mbrojtjes civile, në nivel qarku dhe bashkie

1. Në kuadër të sistemit të mbrojtjes civile, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kryejnë këto detyra:

a) angazhohen në operacione të ciklit të menaxhimit të fatkeqësive, nëse kapacitetet e tjera në dispozicion janë të pamjaftueshme për këtë qëllim, duke mbështetur institucionet, autoritetet qendrore e vendore dhe komunietin;

b) zhvillojnë kapacitete ndërvepruese, të nevojshme për të bashkëpunuar me strukturat kolektive të sigurisë euroatlantike për përballimin e fatkeqësive.

2. Struktura të posaçme të kërkim-shpëtimit të Forcave të Armatosura angazhohen në kryerjen e operacioneve për përballimin e fatkeqësive.

3. Në rastet e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, kapacitetet e Forcave të Armatosura angazhohen në zbatim të detyrave të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile.

4. Kur njësitë e Forcave të Armatosura marrin pjesë në operacione, ato drejtohen nga komandantët e tyre, sipas detyrave që marrin nga drejtuesi i operacionit. 

1. Policia e Shtetit organizohet dhe kryen detyrat e saj në operacionet e shpëtimit dhe të lehtësimit, sipas planeve të hartuara më parë, si dhe planeve të përbashkëta me institucionet e tjera për çështje të mbrojtjes civile.

2. Detyrat e saj përfshijnë mbrojtjen e zonës së emergjencës civile, ruajtjen e rendit publik, procesin e identifikimit dhe të informimit rreth të dëmtuarve dhe viktimave, largimin e tyre nga zona e emergjencës, si dhe detyra të tjera që dalin në zbatim të legjislacionit në fuqi për Policinë e Shtetit.

 

3. Kur policia merr pjesë në operacionet e shpëtimit dhe në raste të tjera të fatkeqësive, forcat e saj komandohen nga eprorët e tyre. 

1. Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit është pjesë përbërëse e forcave operacionale në gatishmëri të përhershme dhe vepron për shuarjen e zjarreve, për kërkimin dhe 19 shpëtimin e njerëzve në zonat e emergjencës civile dhe për lehtësimin e pasojave nga fatkeqësitë natyrore ose nga fatkeqësitë e tjera.

 

2. Në rastet kur shërbimi zjarrfikës merr pjesë në operacionet e shpëtimit dhe në raste të tjera të fatkeqësive, personeli i shërbimit zjarrfikës komandohet nga drejtuesit e tyre përkatës. 

1. Veprimtaria e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore në fushën e mbrojtjes civile rregullohet sipas legjislacionit në fuqi për shërbimin e urgjencës mjekësore dhe për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë.

 

2. Shërbimi i Urgjencës Mjekësore është pjesë përbërëse e forcave operacionale dhe vepron për dhënien e ndihmës së parë në zonën e emergjencës civile dhe për transportimin e të dëmtuarve për në qendrat spitalore. 

Vullnetar

1. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë kontribuon vullnetarisht në menaxhimin e fatkeqësive dhe në zvogëlimin e pasojave të tyre.

2. Vullnetarët mund të ofrohen individualisht apo në grupe të organizuara, si struktura jofitimprurëse, por në të gjitha rastet, në varësi të situatave të krijuara dhe të nevojave të sistemit të mbrojtjes civile, detyrat e tyre caktohen nga institucionet apo strukturat qendrore dhe vendore të mbrojtjes civile.

 

3. Trajtimi i vullnetarëve për angazhimin e tyre në aktivitete të mbrojtjes civile apo në operacionet e parandalimit dhe të përballimit të fatkeqësive miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.

Si të jemi të përgatitur dhe si të përballojmë me sukses situatat e vështira që kanë të bëjnë me përmbytje, borë të dendur, rrëshqitje terreni, tërmete e zjarre.