Në datat 11-12 Qershor 2024, në Helsinki, Finlandë , u zhvillua Dialogu i Biosigurisë së Helsinkit, një ngjarje e rëndësishme organizuar nga Këshilli i Rreziqeve Strategjike në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Finlandës . Në fokus ishte lançimi i Programit Përshpejtuesi Global i Biosigurisë, i cili synon përmirësimin e qëndrueshmërisë globale ndaj kërcënimeve biologjike.
Në këtë Dialog Ndërkombëtar morën pjesë zyrtarë dhe ekspertë nga Shtetet Anëtare të NATO-s dhe aleatët e tyre në Rajonin Indo-Paqësor, duke përfshirë Australinë , Japoninë , Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re . Ekspertët diskutuan avancimin e strategjive kombëtare, mundësitë për bashkëpunim në shkencën dhe teknologjinë e biosigurisë, dhe zhvillimet në sistemet e paralajmërimit të hershëm.
Paneli i folësve përfshiu emra të njohur si Matthew Hepburn (White House Office of Pandemic Preparedness and Response Policy), Hannah Herzig (European Union Health Emergency Preparedness and Response Authority), Steven Bland (NATO CBRN Medical Working Group), Esa Pulkkinen (Ministria e Mbrojtjes së Finlandës), William King (U.S. Delegation, CBRNE Society), Hei Chan Lee (Sun Moon University, Korea e Jugut), Kazuko Hikawa (Nagasaki University, Japoni), dhe David Lasseter (ish Zëvendës Sekretari Ndihmës i Mbrojtjes). Gjatë aktivitetit u prezantuan studime të rëndësishme dhe pati diskutime konstruktive.
Gjithashtu, u theksua roli i BE-së në mbështetjen e iniciativave të mbrojtjes civile përmes UCPM dhe strukturave të tjera për parandalimin, përgatitjen dhe përgjigjen ndaj emergjencave, duke fuqizuar shtetet anëtare dhe vendet aderuese.
Sfidat e së ardhmes janë të shumta dhe të rëndësishme, duke theksuar rëndësinë absolute të koordinimit dhe bashkëpunimit të strukturave brenda vendit dhe atyre ndërkombëtare.