Pas 9 ditësh kërkimesh të pandërprera, sot është gjetur dhe nxjerrë trupi i punonjësit që humbi jetën si pasojë e rrëshqitjes masive të dheut në fabrikën e përpunimit të kromit në Klos. Për rastin janë kryer veprimet procedurale dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi, nga strukturat përkatëse.
Në operacion morën pjesë strukturat vendore dhe qendrore të Mbrojtjes Civile, përfshirë Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, Policinë e Shtetit, AKSEM, Forcat e Armatosura, ekipet mjekësore, Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe vullnetarë nga komuniteti lokal.
Një ndihmë e çmuar erdhi gjithashtu nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës, e cila kontribuoi me profesionalizëm dhe solidaritet gjatë gjithë operacionit.
Shprehim vlerësimin dhe mirënjohjen për të gjitha forcat e angazhuara, për përkushtimin dhe bashkëpunimin e treguar në kushte jashtëzakonisht të vështira.
Ngushëllimet më të thella familjarëve të viktimës në këtë moment të dhimbshëm.
