Durrësi i bashkohet fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”

 Durrësi i bashkohet fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”, zbatuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile me mbështetjen e projektit #RESEAL, të zbatuar nga UNDP në Shqipëri.
Në aktivitet morën pjesë strukturat operacionale vendore të sistemit të mbrojtjes civile, përfshirë Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Drejtorinë e Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit – Zjarrfikëse, Urgjencën Mjekësore Kombëtare, si dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq Shqiptar – dega Durrës.
Në fushatë ishin të pranishëm gjithashtu përfaqësues të Prefekturës së Qarkut Durrës, Bashkisë Durrës dhe Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura.
Ekipet zjarrfikëse realizuan stimulime praktike për fikjen e zjarrit me ujë dhe mjete fikëse portative, duke përfshirë edhe demostrime udhëzuese për të rinjtë dhe qytetarëz e pranishëm mbi mënyrën e përdorimit të zjarrfikëseve që ndodhen në ambientet e tyre shkollore.
Ekipet e vullnetarëve të Kryqit të Kuq Shqiptar demonstruan teknika të shpëtimit të jetës dhe ndihmës së parë për rastet emergjente.
Qytetarë, nxënës dhe të rinj të gjimnazeve të Durrësit, patën mundësinë të ndërvepronin me ekipet operacionale dhe të njiheshin më nga afër me mesazhet e fushatës “Së bashku përgatitemi, së bashku mbrojmë ”.
Aktiviteti në Durrës u zhvillua gjithashtu në kuadër të Javës së Reduktimit të Rrezikut nga Fatkeqësitë #DRRWeek dhe Ditës Ndërkombëtare për Reduktimin e Rrezikut nga Katastrofat më 13 tetor 2025, me moton globale “Investoni në qëndrueshmëri, jo në katastrofa.”
Përmes edukimit, informimit dhe komunikimit publik, fushata kontribuon drejtpërdrejt në forcimin e kulturës së parandalimit dhe në ndërtimin e qëndrueshmërisë komunitare ndaj rreziqeve natyrore.
Fushata “Mbrojtja Civile në Turne 2025” zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC), me mbështetjen e UNDP në Shqipëri, në kuadër të projektit “RESEAL – Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe Reagimit ndaj Emergjencave në Shqipëri”, të financuar nga Qeveria Suedeze (Sida) Embassy of Sweden in Tirana, Qeveria Zviceriane (SECO) Embassy of Switzerland in Albania dhe bashkëfinancuar nga Qeveria e Portugalisë dhe Qeveria Shqiptare