AKMC mirëpret delegacionin francez të Kursit të Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme të Francës

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile pati kënaqësinë të mirëpriste një delegacion francez të përfaqësuesve të Kursit të Studimeve të Larta të Ministrisë së Brendshme të Francës (IHEMI), në kuadër të sesionit të 36-të me temë “Siguria dhe Drejtësia”. Delegacioni, i kryesuar nga Nënkoloneli i Xhandarmërisë Jean-Stephan Nogue – Shef i Departamentit të Sigurisë dhe Drejtësisë – përfshinte ekspertë të fushave të rendit publik, magjistraturës, qeverisjes vendore, sistemit penitenciar, emergjencave civile dhe shërbimit zjarrfikës francez. Gjatë vizitës, ata u njohën me organizimin dhe funksionimin e sistemit të mbrojtjes civile në Shqipëri, kuadrin ligjor për menaxhimin e riskut nga fatkeqësitë, strukturat operacionale dhe mekanizmat e reagimit emergjent në të gjitha nivelet administrative. Në vijim të aktivitetit, delegacioni vizitoi ambientet e Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, ku u prezantuan aspektet teknike dhe procedurat e ndërhyrjes në kohë reale. Ky shkëmbim përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve dhe në promovimin e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërinstitucional në fushën e menaxhimit të emergjencave civile.