Situata e zjarreve në vend
Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në #AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 3 vatra zjarri.
Sot puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq. Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra.
Po ashtu po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.
Falënderim për të gjithë efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor e forcave vullnetare që po luftojnë prej disa ditësh me flakët.
Pas një pune të pandërprerë forcat e emergjencave civile, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit në bashkinë Dropull, ku situata po vazhdon të monitorohet për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi. Në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës po vijon aksioni me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë PZL nga Greqia, për shuarjen e flakëve. Po ashtu operacioni vazhdon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër.
Mirënjohje të gjithë efektivëve të angazhuar si dhe autoriteteve greke që po asistojnë me dy avionët tip PZL në shuarjen e flakëve në fshatin Kakodhiq!
Përsërisim thirrjen për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen ngjarje që dëmtojnë mjedisin dhe pasurinë tonë të përbashkët!